DokuFest shpall programin e filmave garues

DokuFest ka shpallur sot programin e filmave garues për edicionin e 17-të, i cili do të mbahet nga data 3 – 11 gusht në Prizren.

Festivali do të shfaqë 100 filma në gjashtë kategoritë garuese të tij e që përfaqësojnë 40 shtete – përfshirë dhjetë premiera botërore, katër premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale. Të gjithë filmat tjerë që shfaqen në festival do të kenë premierën kosovare.

Filma dokumentar të jashtëzakonshëm si dhe një numër i mrekullueshëm i filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale është çka e karakterizon përzgjedhjen e këtij edicioni. Një numër i filmbërësve do të rikthehen të prezantojnë filmat e tyre për herë të dytë ose tretë në festival ndërsa programi përfshin edhe filmbërës të rinj puna e të cilëve prezantohet nëpër seksionet garuese.

Në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur View From the World si dhe programin e kuruar për temën qendrore të festivalit ‘Reflektimi’.

“Të guximshëm dhe aventuristik, kështu do ti etiketoja shumë prej filmave dhe regjisorëve pas tyre”, tha Veton Nurkollari, drejtor artistik i festivalit.

“DokuFest vazhdon të sjellë më të mirën nga fusha e filmit në Prizren dhe Kosovë dhe ne jemi të kënaqur që edhe njëherë jemi në gjendje të prezantojmë veprat e cilësisë më të lartë nga filmbërërit e rinj dhe mjeshtrit e kinemasë”.

Programet garuese:

Gara e dokumentarëve të Ballkanit

Gara e dokumentarëve ndërkombëtar

Gara e filmave të shkurtër

Gara e dokumentarëve për të drejtat e njeriut

Gara e dokumentarëve të mjedisit

Gara kombëtare

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.