Faza finale e dialogut Kosovë-Serbi, opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme

Deputeti nga radhët e PSD-së, Visar Ymeri ka bërë të ditur se sot ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme lidhur me fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.

Seanca, nëse mblidhen nënshkrimet, pritet të mbahet më 16 korrik, meqë më 18 do të zhvillohet takimi tjetër i Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit.

Ymeri ka thënë se në këtë seancë të jashtëzakonshme do të kërkohet që vendimmarrja t`i kthehet Kuvendit si organi më i lartë legjislativ.

Ky është njoftimi i plotë i Ymerit në Facebook:

Me propozimin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, sot kemi nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme me 16 korrik 2018 nga ora 11:00 në lidhje me fazën finale të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Muajin e kaluar në Bruksel, pa marrë pëlqimin e Kuvendit, dhe pa platformë shtetërore të miratuar nga Kuvendi, është zhvilluar takimi i nivelit të lartë ndërmjet Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Në ndërkohë, nga Zyra e përfaqësues së lartë e Bashkimit Evropian, është bërë e ditur se takimi i radhës ndërmjet të dy presidentëve do të mbahet me 18 korrik 2018 në Bruksel.

Duke e pasur parasysh ndikimin politik që ka ky dialog dhe marrëveshja eventuale që del nga ai do ta ketë në procesin e shtetndërtimit, zhvillimit, e demokracisë në Republikën e Kosovës, përmes kësaj seance të jashtëzakonshme deputetët nënshkrues do të kërkojnë që diskutimi dhe vendimmarrja t’i kthehet Kuvendit, organit më të lartë legjislativ.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.