Franca – Belgjika, kjo pritet sonte në gjysmëfinalen e Botërorit 2018

 

Nga njëra anë janë Mbappe, Griezmann e Giroud, ndërsa në krahun tjetër Lukakun, Eden Hazard dhe mesfushorë të tjerë që kanë thuajse të njëjtën rrezikshmëri për portën kundërshtare.

Botërori i Rusisë ka arritur në fazat finale të tij. Sot në mbrëmje në Shën Petersburg do të luhet ndeshja e parë gjysmëfinale e evenimentit; ajo mes Francës dhe Belgjikës.

Kjo është sfida mes dy skuadrave me sulmin më të mirë të Botërorit. Franca vjen në këtë ndeshje pasi ka fituar 4 nga 5 ndeshjet e zhvilluara deri tani, ndërsa Belgjika ka njohur vetëm shijen e fitores. Nga njëra anë janë Mbappe, Griezmann e Giroud, ndërsa në krahun tjetër Lukakun, Eden Hazard dhe mesfushorë të tjerë që kanë thuajse të njëjtën rrezikshmëri për portën kundërshtare.

Sa u përket formacioneve, Didier Deschamps me shumë mundësi do të aplikojë skemën 4-2-3-1 me Lloris në portë, Pavard, Varane, Umtiti e Hernandez në mbrojtje në qendër të mesfushës janë Pogba e Kante, ndërsa Mbappe, Griezman e Matuidi pritet të jenë në mbështetje të Giroud.

Te Belgjika, Martinez do të përgjigjet me skemën 3-4-2-1 me Courtois në portë; Aldervajerld, Kompany e Vertonghen në mbrojtje. Në mesfushë Carrasco do të luajë në vend të Meunier të skualifikuar së bashku me Fellainin, Vitsel e Chadli. De Brëjne dhe Hazard do të jenë në mbështetje të Lukakut, transmeton “TCH”.

Ai që do ta përjetojë në mënyrë të veçantë këtë ndeshje është Thierry Henry, i cili është pjesë e stafit të Belgjikës, për të ndihmuar në mënyrë të veçantë sulmuesit për shënimin e golave.

Henry do të jetë përballë Francës së tij me të cilën u shpall kampion bote në 1998 dhe kampion Evrope në 2000. Ndeshja mes Francës dhe Belgjikës do të arbitrohet nga uruguajani Andres Cunha.

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.