Hiqet kufizimi i importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet

Veturat më të vjetra se dhjetë vjet mund të regjistrohen nga qytetarët e Kosovës.

Ky kufizim ishte në Ligjin për Automjete, me një nen i cili sot u hoq nga ligji me votat e anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Ishte deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku ai që kërkoi që të hiqet ky kufizim e i cili u përkrah edhe nga kolegët e tij deputetë.

Lushtaku ka kërkuar edhe ndryshimin e nenit 63 të këtij ligji, për shpenzimet e larta për regjistrimin e automjeteve, në këtë rast në procesin e ndërrimit të pronarit.

Propozimin e Lushtakut e ka përkrahur edhe kolegia e tij Sala Berisha -Shala, e cila tha se edhe në aspektin e kontrollit të automjeteve ka shkelje të konkurrencës së lirë.

“Për mendimin tim, kjo është plaçka që iu bëhet qytetarëve, nuk deshta me shpreh më herët këtë çështje, por me të vërtetë është plaçkë kur dikush e ka një veturë, e regjistron, edhe pastaj dëshiron me ia shitë një pronari tjetër, e ai pronarë duhet të paguaj prej fillimit regjistrimin e veturës dhe kontrollin teknik. Ato mjete as nuk i kthehen pronarit të vjetër dhe as nuk i barten pronarit të ri. Kështu që ne si deputet për çdo ditë gjatë takimit me qytetarë, ata i shprehin këto brenga, por sigurisht se edhe për neve është shqetësuese, mirëpo për Qeverinë duhet me qenë edhe më shqetësuese”, ka thënë Lushtaku, transmeton kp.

Këto propozime i ka kundërshtuar përfaqësuesi nga Ministria e Infrastrukturës Avdi Kamerolli.

Sipas tij nuk ka nevojë të bëhet ndryshimi i ligjit për heqjen e përkufizimit të veturave, sepse sipas tij, Kosova shndërrohet në varreza me automjete të kalbura, të cilat rrezikojnë edhe trafikun.

Kamerolli: Këto ndryshime ligjore, Kosovën e shndërrojnë në varrezë të automjeteve të kalbura

“Ndryshimi neneve 44 dhe 63 dhe 39 është i panevojshëm dhe i paarsyeshëm për Ministrinë e Infrastrukturës, ndryshimet e propozuara krijojnë mundësi për çrregullim të tregut të importit të automjeteve, në dëm të sigurisë të komunikacionit rrugor dhe të shëndetit të qytetarëve në përgjithësi. Këto ndryshime ligjore, Kosovën e shndërrojnë në varrezë të automjeteve të vjetra dhe të kalbura të cilat e ndotin ambientin, ku siguria e tyre aktive dhe pasive është e mangët. Automjetet e reja janë më të sigurta në trafikun rrugor”, ka thënë Kamerolli.

Por propozimin e Lushtakut e mbështetën edhe deputetët opozitarë.

Hikmete Bajrami e LDK-së ka thënë se ndryshimi i nenit 44 për heqjen e kriterit për vjetërsinë e automjeteve duhet të analizohet mirë, ndërsa ka mbështetur ndryshimin e nenit 63 për procesin e regjistrimit të automjeteve.

“Sa i përket nenit 44 për heqjen e kriterit të vjetërsisë së veturave, unë konsideroj se na duhet një analizë pak më e detajuar për me parë me të vërtetë se a janë dëmtuar qytetarët, sa është ulë numri I veturave të vjetra e tjera… mendojë se një kriter i tillë ka pasur ndikim pozitiv qoftë në mbrojtjen e ambientit qoftë në ndryshimin e komplet të veturave”, ka thënë Bajrami.

Kufizimin e vjetërsisë për import të automjeteve e ka përkrahure dhe deputeti i VV-së, Liburn Aliu, i cili tha se një veturë mund të jetë vjetër, por ndoshta i plotëson kriteret dhe standarde për ndotje.

Pa asnjë votë kundër anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik kanë përkrahur iniciativën e deputetit Mërgim Lushtaku për ndryshimin e Ligjit të Automjeteve.

Kufizimi i importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet hyri në fuqi më 1 janar 2018

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.