Masat për mbrojtjen e “Shkollës së parë shqipe” në Prishtinë përplasin institucionet me pronarët

Një ditë pas hapjes së tenderit për fazën e parë të punimeve në objektin e shekullit XIX, pronarët e objektit e kanë kundërshtuar këtë hap duke thënë se një gjë e tillë është bërë pa pëlqimin e tyre. Por zyrtarët e institucioneve e thonë krejtësisht të kundërtën.

Përplasjet mes dyja palëve janë bërë për objektin që pasi u dogj në vitin 1880, ishte rinovuar për t’u kthyer më pas në shkollën e parë shqipe në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”. Sipas të dhënave që figurojnë në databazën e Trashëgimisë Kulturore, kjo shkollë u hap në vitin 1908, dhe kishte rreth 250 nxënës shqiptarë.

Shkolla e parë shqipe gjendet në qendrën historike të qytetit të Prishtinës dhe sipas informacioneve që janë në databazë ky objekt ka një histori të bujshme. Por pronarët, Ismet Gashi dhe Agim Humolli, kanë thënë se atyre asnjëherë nuk u është dokumentuar historiku i këtij objekti edhe pse e kanë kërkuar disa herë një gjë të tillë. Ata janë kundër procesit që tashmë ka nisur për objektin.

“Në pronën tonë nuk mund të investojë askush pa pëlqimin tonë. Kjo është absurde”, ka thënë Humolli, duke e cilësuar këtë si “shkelje flagrante të të drejtave të njeriut” .

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.