Çfarë i kërkoi Leci Cimës, pak para vdekjes?

I’a kishte kërkuar që mos t’i shkonte më në vizitë. Dhe kështu kishte vepruar.

Pavarësisht dëshirës së madhe për ta takuar mikun e tij të zemrës, Cima kishte vendosur që mos ta takonte më Lecin, në mënyrë që ta respektonte dëshirën e tij të fundit. Aktori i humorit Rasim Thaçi-Cima, i cili aktualisht po jeton pensionimin, ani pse angazhimet artistike nuk i ka ndalë, ka ardhur në një rrëfim ekskluziv për Kolona.info.

Ai ka rrëfyer të pathëna për humorin aktual, angazhimet e tij në humor përkundër vështirësive, dëshirën për rikthim si “Treshi Përsheshi” disa vite më parë, arsyet e ndarjes me Lecin e Qumilin dhe kohën e lirë./Kolona.info

Me çka po merreni kohëve të fundit?

Cima: Ma shumë po angazhohem me mbrëmje muzikore në diasporë, po ashtu jemi të angazhuar me skeçe por tash më rrallë. Vazhdojë të punojë me ekipin tim, Drinin, Fizën, Hasanin ku kemi nënshkruar marrëveshje me kompaninë “OnAir”, ku përmes kanalit zyrtarë YouTube, shfaqen skeçet tona. Të gjithë ata që duan të shohin skeçet e fundit por edhe të mëhershme, mund t’i gjejnë në YouTube me emrin cimaofficiale.

Ka kohë që nuk keni ardhur me ndonjë projekt të ri. Cila është arsyeja?

Cima: Arsyeja është për shkak të tërheqjes së investitorëve. Ata të cilët dikur investonin te ne për CD-ja, tash po thonë se nuk kanë llogari të investojnë. Po duhet të shkojmë në këtë mënyrë, përmes YouTube.

Sa po ju mungon koha kur keni qenë para publikut?

Cima: Po më mungon shumë. Por tash ka ardhur kohë ma ndryshe, rinia nuk po donë shumë politikë se janë lodhur. Ma shumë po duan tema sociale, me një fjalë tema rreth uqkurit, jo pornografi. Po ashtu humor për tema të dashurisë për të rinj. Edhe ma herët ka pasur dashni, po bile ma herët ka qenë taman dashni, e tash shumë ka dashni por ma shumë për interes. Kjo ndoshta po ndodh për shkak të skamjes, e po ashtu po duan të shkojnë në rrugën drejt Evropës.

Si do ta përshkruash sot ‘Treshi Përsheshin’?

Cima: Tre persona me bë humorin përshesh. Treshi e bënë përsheshin. Atëherë nuk kemi guxuar të bëjmë humorin bash direkt por ma shumë është dashur indirekt.  Tash është ndryshe, jo 3-shi por dyshi. Nuk është aktiv sepse Qumili e ka ekipin e vet, unë timin. Nuk është kush e di sa katastrofë pse nuk jemi bashkë, sepse biznesi është biznes. Nostalgji kam shumë për Treshin Përsheshin. Maksimumin e kohës që e kam kaluar e kam kaluar aty. Kemi thënë 3-shi, por në të vërtet një kemi qenë. Një shpirt. Jemi ndarë veç kur kemi shkuar te gratë.

Leci?

Cima: Lecin e kam pas shok, mik, më shumë se vëlla. Mua një krah më është këputur prej se ka ndërruar jetë Leci. Ma shumë kam qëndruar me të, sesa me gruan. Hala nuk po mund të besoj që nuk është këtu. Gjithmonë po rri e nuk po mund të besojë që nuk është në mesin tonë. Shpeshherë e kam vizituar ndërsa kur filloi sëmundja ta rëndoj më shumë, më tha se nuk ka qejf t’i shkoj në vizitë. Vuante prej sëmundjes së vet. Ka fundi rrallë e kam pa sepse ishte dëshira e tij, të cilën e kam respektuar.

Cilat janë ana e mirë dhe e keqe e humorit sot?

Cima: Sot ka humor të mirë. I përgëzoj “Stupcat” për humorin. Nuk ndjej konkurrencë. Ata janë më të rinj dhe shumë të mençur. Ata fokusohen tek problematikat kryesore edhe e mira e krejt kësaj është se e kanë pjesën më të mirë të publikut, rininë. Humorin tonë më shumë e ka përcjellë pjesa e moshuar. Masa më e madhe e popullatës të humorit të sotëm është rinia. Të moçmit e kanë vendin e vet le të shkojnë në banja, le ta marrin pensionin. Bile tash edhe unë hy në atë thes, pasi që i kam bo do vjet, por unë mund të them se jam transferuar. E kam pa çka po duan të rinjtë, pra ata i duan skeçet moderne si të kullerëve. Nuk po më vjen vështirë hiq sepse po përshtatem. Fansat më kanë thënë se jam në moshën 67 vjeçare, po, jam plak kuller. Ana e keqe e humorit të sotëm është se po përdorin shumë fjalë banale.

A e keni menduar ndonjë rikthim si më herët?

Cima: Derisa ka qenë Leci gjallë na ka pajtuar Fatmir Limaj, tash kryetar i Nismës. Qëllimi i tij ka qenë të na bashkojë treve, si dikur ‘Treshi Përsheshi’. Kemi pasur nostalgji para 7 apo 8 viteve, kur edhe patëm menduar të rikthehemi. Kemi gabuar që jemi ndarë sepse e kemi zhgënjyer popullatën. Jemi ndarë të fitojmë më shumë. Atë kohë kur deshi të na bëjë bashkë Limaj, ne u rikthyem por nuk zgjati më shumë se 10 ditë. Kur thehet buka nuk kapet më. Ke një distancë e madh që jemi ndarë dhe secili ka vazhduar me ekipin e tij.

Si e kaloni kohën e lirë?

Cima: Si të zgjohem në mëngjes i kryej ritualet, laj sytë pastaj dal për kafe ku së bashku me kafe e kam zakon edhe të lexoj gazetën. Takohem me shokë, me vëllanë tim, me të cilin tek tash po e shijoj vllaznillakun sepse edhe ai është në pension sikurse edhe unë. Pastaj ka raste kur i ndihmojë Adelinës me fëmijët. Po ashtu kujdesem edhe për nipin tim, djalin e djalit. Është me rëndësi ta ceki se nuk ka gjasë që më shumë se gjysmë orë të luaj apo të kujdesëm për nipërit sepse më lëshojnë nervat. Tërë jetën jam kujdesur që ta bëjë publikun të qesh, ndërkohë ka pasur raste kur kam qeshur e kam fol, ndërsa në brendësi kam qenë duke kërcitur.

Sa shpesh e frekuenton kinemanë, teatrin?

Cima: Në teatër nuk shkoj shpesh , sepse kam qenë disa herë dhe nuk ka pasur shumë të interesuar për të përcjell shfaqje të caktuar. E njëherë kam shkuar në teatër për kuriozitet dhe kam ecur në skenë, fillova të flas por nuk ishte askush, dëgjohej vetëm zhurma e dërrasave. Sa i përket kinemasë, shkoj nganjëherë por jo aq shpesh sepse interneti po e bënë të vetën.

Hobi juaj?

Cima: Për çdo dit dal dhe vrapoj. Është interesant se dal kur është i nxehti më i madh, sepse kam qejf të djersitem. Mendoj se është mënyrë e lehtë ta largojë peshën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *