Babai i Valon Behramit tregon të vërtetën e përjashtimit nga Zvicra

Valon Behrami me një telefonatë të vetme u njoftua se më nuk i duhet Kombëtares së Zvicrës. Telefonatën e kishte marrë nga njeriu të cilin e kishte shpëtuar pa u shkarkuar, Vladimir Petkoviç.
Këtë urdhër boshnjaku e kishte marrë nga shefat e tij, presidenti dhe sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Zvicrës, me të cilët Valoni ishte përplasur keq, kur ata kishin kërkuar prej futbollistëve që të përcaktohen për një shtetësi të vetme. Kjo për shkak se shqiponja dykrenore e Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës për federatën zvicerane nënkuptonte dyshtetësi.

Babai i Valon Behramit, Ragipi, në një intervistë ekskluzive për “Zërin” i zbulon të gjitha ndodhitë e fundit në kampin helvetik, të cilin e akuzon se për shkaqe politike ia larguan në mënyrë poshtëruese djalin i cili qe 20 vjet i shërben me zemër e shpirt shtetit helvetik.

Vetëm para pak javësh zviceranët shprehnin nevojën për t’i pasur 11 Valon Behram’a në përfaqësuesen e tyre. Kjo ishte mënyra më e mirë për helvetikët që të shprehnin mirënjohje për Valon Behramin, i cili arriti ta mbaj në “xhep” futbollistin më të shtrenjtë në botë, Neymarin, të cilin nuk e lejoi ta ndihmoi Brazilin në ndeshjen me Zvicrën në Botërorin “Rusia 2016”.

“Menjëherë pas Botërorit Valoni e ka paralajmëruar largimin nga përfaqësuesja e Zvicrës. Ai dëshironte të largohej kryesisht për arsye familjare, por edhe ndihej i lodhur dhe dëshironte që vitet e fundit të karrierës si futbollist aktiv t’i përqendrohej klubit. Mirëpo, zviceranët kanë qenë kategorikisht kundër dhe nuk e kanë pranuar largimin e tij. Ndërsa tani e larguan në mënyrën më të keqe, në mënyrë jo njerëzore”, ka deklaruar Ragip Behrami për gazetën “Zëri”.

“Federata e Zvicrës pati shkuar shumë larg duke e quar çështjen e dyshtetësive deri në Parlamentin e Zvicrës. Andaj, Valoni e ka pas një zënkë me sekretarin gjeneral. Valoni ka qenë i zemëruar me paragjykimet e njerëzve si sekretari gjeneral, i cili është marrë me çështje të tilla përkundër faktit se Valoni dhe futbollistët tjerë shqiptarë e kanë dhënë maksimumin për skuadrën e tyre”.

“Andaj, Vladimir Petkoviç vetëm e ka zbatuar një urdhër që ia kanë dhënë shefat e tij, presidenti dhe sekretari gjeneral i federatës, duke e thirr Valonin për t’i treguar se i janë mbyllur dyert e skuadrës”, shton ai.

“Në Petkoviçin jemi hidhëruar për shkak se ia ktheu me të keqe një të mirë që ia pati bërë Valoni. Trajnerin boshnjak patën dashur ta largojnë nga posti i selektorit të Zvicrës ndërsa Valoni e ka mbështetur dhe ka punuar në interes të tij, pra që ta mbetet trajner i Zvicrës”, shprehet babai i futbollistit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *